Rreth 100 artistë me veprat e tyre në pikturë, fotografi, instalacion dhe videoart u bënë pjesë e edicionit të 20-të të ekspozitës kombëtare “Sallonet e Vjeshtës” në Shkodër. Edicioni jubilar i kësaj ngjarjeje të rëndësishme të artit pamor erdhi me një koncept të zgjeruar, si në larminë e krijimtarisë artistike, ashtu edhe në hapësirat e ekspozimit.

Drejtori i Galerisë së Arteve, Fatmir Juka dhe kuratori i ekspozitës, Elton Koritari, flasin mbi risitë dhe veçantitë që shoqërojnë këtë edicion. Juria e përbërë nga Edit Pula, Arta Agani dhe Sadik Spahija vlerësoi me çmimin kryesor videoanimacionin “Qiejt e demokracisë” e autorit Harri Aleksi. Vepra e tij trajton përmes gjuhës artistike problematika të aktualitetit botëror, duke nxitur reflektimin mbi realitetin e sotëm.

Juria vlerësoi me çmim piktorin Orhan Kurtolli “Vepra e perzgjedhur e Sallonit”, gjinia e  pikturës “Ari, Lira, Rea”.

Piktorja e shquar shkodrane, Liljana Çefa, u nderua me Çmimin e Karrierës në edicionin e 20-të të ekspozitës kombëtare “Sallonet e Vjeshtës”. Ky vlerësim vjen si mirënjohje për kontributin e saj ndër vite në artin pamor shqiptar.E diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1966, Çefa ka marrë pjesë në ekspozita të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, duke fituar çmime brenda dhe jashtë vendit. Krahas krijimtarisë artistike, ajo i ka kushtuar dekada formimit të brezave të rinj të piktorëve, duke u nderuar edhe me titullin “Krenaria e Qytetit” të Shkodrës.

Këtë vit, ekspozita mori emërtimin në shumës “Sallonet e Vjeshtës”, duke zgjeruar gjeografinë e saj përtej Galerisë së Arteve. Edhe holli i Radio Shkodrës u shndërrua në një hapësirë ekspozimi, duke i dhënë artit bashkëkohor një tjetër pikëtakim me publikun.

Veprat e edicionit të 20-të do të qëndrojnë të ekspozuara për rreth dy muaj, duke u ofruar artdashësve mundësinë të njihen nga afër me krijimtarinë e artistëve pjesëmarrës.