Mes paqes së kërcënuar dhe pasigurisë që po përjeton bota, artisti Harri Aleksi nga Tirana ka gjetur frymëzimin për të realizuar videoanimacionin “Qiejt e demokracisë”. Vepra u vlerësua me çmimin kryesor në edicionin e 20-të të ekspozitës kombëtare “Sallonet e Vjeshtës”, organizuar nga Galeria e Arteve Shkodër.

Në pamje të parë, imazhet e videoanimacionit ngjasojnë me lule që çelin apo fishekzjarre që ndriçojnë qiellin. Por pas kësaj estetike vizuale fshihet një realitet krejt tjetër: ai i raketave, dronëve dhe shpërthimeve. Përmes këtij kontrasti, artisti përcjell shqetësimin mbi aktualitetin e trazuar botëror.

Për Aleksin, pasiguria po prek edhe ato shtete që deri dje konsideroheshin ndër më të sigurtat, ndërsa kufiri mes paqes dhe luftës po bëhet gjithnjë e më i brishtë.

Artisti shprehet se nuk e priste vlerësimin me çmimin kryesor, ndërsa thekson se një vepër arti nuk duhet të ketë domosdoshmërisht në fokus të bukurën, por mbi të gjitha mesazhin që përcjell.

Me “Qiejt e demokracisë”, Harri Aleksi e shndërron artin në një mjet reflektimi mbi realitetin bashkëkohor, duke vendosur përballë njëra-tjetrës bukurinë e imazhit dhe dramatikën e asaj që ai përfaqëson.