Në prag të ndeshjes ndaj Laçit, trajneri i Vllaznisë, Csaba Laszlo, kërkoi mobilizim maksimal nga futbollistët në stërvitje. Tekniku hungarez theksoi se për të të gjithë lojtarët janë të barabartë dhe askush nuk e ka të garantuar vendin e titullarit.
“Nuk jam i qetë megjithëse kemi fituar dy ndeshjet e fundit. Në këtë situatë ku ndodhemi na duhet të japim një mijë përqind në fushën e lojës. Ekipi duhet ta kuptojë që ne kemi bërë vetëm një hap dhe asgjë më shumë. Po i paralajmëroj të gjithë që në qoftë se ndonjëri nuk bën atë që është e nevojshme për ekipin do të ketë probleme me mua sepse klubi është e rëndësishme”, shprehet Laszlo.
Fatbardh Latifi ishte një prej lojtarëve që spikati në fitoren 0-1 ndaj Partizanit. Mbrojtësi 27-vjeçar, i cili luajti për herë të parë si titullar nën drejtimin e Laszlos, zhvilloi një paraqitje të mirë, duke i dhënë siguri mbrojtjes shkodrane. Ai foli për paraqitjet e fundit të skuadrës.
Pas dy fitoreve radhazi ndaj Elbasanit dhe Partizanit, Vllaznia synon një tjetër rezultat pozitiv ndaj Laçit. Ndeshja e javës së 13-të të “Abissnet Superiore” do të luhet më 28 nëntor, në orën 16:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.
