Pavarësisht uljes së temperaturave dhe reshjeve të dëborës në zonat malore, situata në Qarkun Shkodër paraqitet e qëndrueshme. Sipas informacionit të Institucionit të Prefektit, deri në orën 08:20 të kësaj të marte nuk raportohen problematika të rëndësishme.
Në Qafë Thore, gjatë pasdites së të hënës janë regjistruar reshje të dobëta dëbore, ndërsa ekipet e Bashkisë Shkodër kanë ndërhyrë për pastrimin e rrugës dhe hedhjen e kripës për parandalimin e ngricave.
Në bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Pukë nuk raportohen problematika që lidhen me emergjencat civile. E qëndrueshme paraqitet edhe situata hidrologjike, ku nivelet e ujit vijojnë të jenë nën kuotat e rrezikut.
Sa i përket akseve rrugore Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, qarkullimi i automjeteve vijon normalisht, ndërsa janë marrë masa për parandalimin e ngricave për shkak të temperaturave të ulëta.
Në aksin Han i Hotit–Vermosh vijon puna për largimin e materialeve inerte të rëna në rrugë, pa krijuar pengesa në qarkullimin e automjeteve. Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin e situatës në territorin e qarkut, duke mbetur në gatishmëri për përballimin e çdo emergjence të mundshme.
