Nga Zenepe Dibra

Tempulli i kulturës shkodrane, vendi ku tradita kulturore skenike e Shkodrës mori përmasa të reja, duke e bërë atë të njohur publikisht në një hapësirë më të gjerë mbarëshqiptare. Teatri “Migjeni” u ngrit si një teatër profesionist më 24 nëntor 1949, me një organikë prej 10 vetësh, që më vonë u zgjerua me elementë të rinj të lëvizjes diletante.

Aktorët e parë të Teatrit Profesionist të Shkodrës ishin: Adem Kastrati, Antoneta Fishta, Ndrekë Prela, Çezarina Çiftja, Ndoc Deda, Paulin Lacaj, Vitore Ujka (Nino) dhe Tef Krroqi. Regjisor dhe drejtor ishte Andrea Skanjeti. Në administratë bënin pjesë Zef Jubani (llogaritar), Palok Kurti (sufler), Pjetër Deda (skenograf), Ejëll Gjusi (rrobaqepës) dhe Lec Prendi (marangoz).

Si aktorë gjysmëprofesionistë, me një shpërblim mujor, u aprovuan: Zef Jubani, Tinka Kurti, Çesk Vuksani, Qazim Lila, Lin Gjonej, Gjovalin Çarkaxhia, Cin Lufi, Mark Bushati, Muhamet Ulqinaku, Halim Kali, Zef Maka, Zef Mirashi, Marie Buçi, Ndoc Harapi dhe Rrok Sheldia.

Ndërtesa e re dhe repertori teatror

Teatri i Shkodrës, që mban emrin e poetit të shquar Migjeni, si një ndër teatrot më të mira të vendit tonë, ruan traditën më të shëndoshë të shoqërive teatrore. Në vitin 1958 u inaugurua ndërtesa e re e Teatrit “Migjeni”, e projektuar nga inxhinieri Anton Lufi.

Premiera e parë ishte drama “Përmbysja” e Boris Lavranjev, e vënë në skenë nga regjisori Andrea Skanjeti. Më pas, repertori u pasurua me një sërë dramash dhe komedish të autorëve shqiptarë.

Ndër veprat e shfaqura ishin: “Nën okupacion” (Xh. Broja), “Nora” (A. Skanjeti), “Maskat” (Jonuz Dini), “Votra e huej” (Ndrekë Luca), “Shtatë shaljanët” (Ndrekë Luca), “Kunora e Nurijes”, “Toka e jonë” (K. Jakova), “Dragoi i Dragobisë” (Xh. Broja), “Baca i Gjetajve” (F. Kraja) dhe “Fis heku në pajë” (F. Kraja).

Në skenën e teatrit u shfaqën edhe drama të autorëve të huaj, si “Makar Dubrava” (A. Kroneiçuk) dhe “Zani i Amerikës” (Boris Lavranjev), të cilat u dhanë në vitin 1950, menjëherë pas dramës “Përmbysja”.

Më vonë u vunë në skenë edhe “Tragjedia optimiste” (V. V. Vishnjevski), “Djali Plangprishës” (Egon Rannet), “Gjashtë dashnorët” (Arbuzov), “Kopraci” dhe “Tartufi” (Molieri), si dhe “Trumbetjerja” (A. Salinski). Një ngjarje me rëndësi në jetën artistike të teatrit ishte edhe shfaqja e operës “Mrika” të Prenkë Jakovës, në vitin 1958.

Artistët që kontribuuan në historinë e teatrit

Në Teatrin “Migjeni” dhanë një kontribut të rëndësishëm aktorët: Adem Kastrati, Antoneta Fishta, Bep Shiroka, Cezarina Çiftja, Elez Kadria, Jonuz Dini, Justina Alia, Lec Shllaku, Lec Bushati, Ndoc Deda, Ndrek Prela, Pistol Soja, Prengë Lekunda, Qazim Lika, Rrok Dajçi, Rrok Sheldia, Roza Xhuxha (Anagnosti), Bruno Shllaku, Paskualina Gruda, Paulin Lacaj, Ramiz Rama, Rajmonda Marku, Fatbardh Smaja, Merita Smaja, Rita Gjeka, Vitore Nino, Tef Krroqi, Tinka Thani (Kurti), Violeta Sekuj, Viktor Bruçeti, Ymer Bala dhe Zef Jubani.

Kontribut në shkrimin e pjesëve teatrore dhanë Andrea Skanjeti, Fadil Kraja, Jonuz Dini, Lec Shllaku, Ndrek Luca dhe Xhemal Broja. Në zhvillimin artistik të teatrit kontribuan edhe regjisorët Andrea Skanjeti, Esat Oktrova, Elez Kadria, Lec Shllaku, Serafin Fanku, Violeta Sekuj dhe Vitore Nino, si dhe piktori e skenografi Lec Fishta.

Paulin Lacaj dhe themelimi i arkivit të teatrit

Një meritë të veçantë në historinë e Teatrit “Migjeni” ka edhe aktori i shquar Paulin Lacaj, i cili ishte themeluesi i Arkivit të Teatrit “Migjeni”. Ky arkiv ishte i pari ndër arkivat e institucioneve artistike të vendit. Paulin Laca ruajti dhe sistemoi me shumë kujdes të gjithë dokumentacionin e teatrit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e historisë së tij.

Aktorët shkodranë dhe Teatri Kombëtar

Shumë nga aktorët shkodranë, si Ana Kçira, Gjon Karma, Lazër Filipi, Loro Kovaçi, Marie Logoreci, Ndoc Meshkalla, Ndrek Luca, Ndrek Shkjezi, Ndoc Deda, Pjetër Gjoka dhe Rrok Dabërdaku, do të formonin bërthamën e ardhshme të Teatrit Kombëtar të ngritur në Tiranë.

Kësaj trupe më vonë do t’i bashkoheshin edhe Tinka Kurti, Roza Xhuxha, Rikard Ljarja dhe Tonin Ujka.

Teatri pas vitit 1990

Pas vitit 1990 u vërejt një ndryshim rrënjësor në veprimtarinë e Teatrit “Migjeni”, veçanërisht sa i përket zgjerimit të repertorit me pjesë dhe autorë dikur të ndaluar, si dhe interpretimit në gegërisht të shumë veprave. Nga ana tjetër, veprimtaria e gjerë që e kishte karakterizuar teatrin në të kaluarën pësoi kufizime për shkak të problemeve financiare.

Vlerësimet dhe dekoratat

Në vitin 1952, Teatri “Migjeni” u dekorua me “Medaljen e Punës” dhe “Urdhrin e Punës të Klasit I”. Në vitin 2009, Këshilli Bashkiak i Shkodrës e nderoi teatrin me titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Në 3 nëntor 2019, në kuadër të 70-vjetorit të themelimit, Teatri “Migjeni” u dekorua nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me vlerësimin e lartë “Nderi i Kombit”. Ceremonia u zhvillua në Shkodër, duke shënuar një moment të rëndësishëm në historinë e institucionit.