Në Shkodër vijojnë punimet për realizimin e projektit “Dua të Luaj”, që do t’i shtojë qytetit një park të ri publik me sipërfaqe prej 1,8 Ha, të dedikuar kryesisht për fëmijët dhe të rinjtë.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, inspektoi nga afër ecurinë e punimeve në hapësirën e liruar, ku projekti parashikon krijimin e ambienteve për lojëra, argëtim dhe aktivitete në natyrë.
Përmes këtij investimi synohet zgjerimi i hapësirave publike dhe krijimi i kushteve për zhvillimin e aktiviteteve rekreative për grupmosha të ndryshme.
Me përfundimin e punimeve, parku “Dua të Luaj” pritet të shndërrohet në një pikë të re takimi për fëmijët, të rinjtë dhe familjet shkodrane, duke ofruar më shumë mundësi për kalimin e kohës së lirë në natyrë.
