Teatri nuk jeton vetëm në skenë, por edhe përmes mikrofonit të radios. Prej gjashtë muajsh, aktorja “Mjeshtre e Madhe”, Rita Gjeka, sjell për dëgjuesit e Radio Shkodrës proza të autorëve gegë, duke i dhënë jetë fjalës së shkruar përmes interpretimit artistik. Një mënyrë ndryshe për të afruar teatrin me publikun, por edhe për të promovuar vlerat e letërsisë shqipe.
Me një karrierë të gjatë në skenë dhe përvojën si ish-drejtuese e Teatrit “Migjeni”, Rita Gjeka ndalet te rëndësia e teatrit në jetën kulturore të Shkodrës, duke sjellë këndvështrimin e saj mbi teatrin e djeshëm dhe atë të sotëm.
Krahas angazhimit në radio, aktorja shkodrane vijon të jetë aktive edhe në kinematografi. Ajo sapo ka përfunduar xhirimet e një filmi në Itali, duke i shtuar një tjetër përvojë karrierës së saj artistike.
Nga skena e teatrit te mikrofoni i radios e deri te sheshi i xhirimeve, Rita Gjeka vijon komunikimin me publikun përmes formave të ndryshme të artit, duke mbetur e lidhur ngushtë me profesionin të cilit i ka kushtuar dekada të jetës së saj.
