Sipas informacionit të publikuar nga Prefektura e Shkodrës mëngjesin e kësaj të hëne, 23 nëntor, në Fushë-Arrëz janë regjistruar dëmtime të çatisë së shkollës 9-vjeçare në Iballë dhe të disa banesave. Prurjet e ujit, gurëve dhe dherave kanë shkaktuar probleme edhe në rrugët rurale, ndërsa pothuajse të gjitha njësitë administrative kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike.
Në Bashkinë Shkodër, erërat e forta kanë rrëzuar disa pemë, të cilat janë larguar nga shërbimet bashkiake.
Probleme me furnizimin me energji elektrike janë raportuar edhe në Malësi të Madhe dhe Vau i Dejës.
Ndërkohë, në akset rrugore Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth janë evidentuar rënie gurësh dhe prurje inertesh. Strukturat përgjegjëse po punojnë për pastrimin e tyre. Në Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, por rruga mbetet e kalueshme.
Aksi Fushë-Arrëz–Bardhet, i cili u bllokua përkohësisht gjatë natës nga rrëzimi i një peme, është zhbllokuar pas ndërhyrjes së shërbimeve bashkiake. Pavarësisht reshjeve, nivelet e ujit mbeten nën kuotat e rrezikut dhe nuk raportohen probleme në veprat ujore.
Ekipet e OSHEE-së vijojnë punën për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë elektrike, ndërsa Prefektura e Shkodrës po monitoron situatën në bashkëpunim me bashkitë dhe institucionet përgjegjëse.
