Kur Shkodra ende fle dhe rrugët e qytetit janë të zbrazëta, Armando Rama nis një tjetër ditë pune. Tiktaket shënojnë orën 5 të mëngjesit. Me bukën me vete dhe përkushtimin që e karakterizon, 34-vjeçari merr rrugën drejt Dukagjinit, ku prej gjashtë vitesh punon si mësues i edukimit fizik në shkollën “Mehmet Shpendi”.

Janë rreth tre orë udhëtim çdo ditë, në një rrugë malore që nuk është aspak e lehtë, veçanërisht gjatë dimrit. Shiu, dëbora dhe temperaturat e ulëta janë pjesë e vështirësive me të cilat përballet, por dëshira për të qenë në kohë përpara nxënësve mbetet më e fortë.

Për Armandon, sporti nuk është thjesht një lëndë mësimore, por një pasion që e ka shoqëruar që në fëmijëri. Në moshën 11-vjeçare ai hodhi hapat e parë në atletikë, një disiplinë së cilës i kushtoi rreth 15 vite të jetës. Si atlet i Vllaznisë, për pjesën më të madhe të karrierës u stërvit nën drejtimin e profesorit Isak Bala, duke u formuar me vlerat e disiplinës, punës dhe këmbënguljes.

Rezultatet nuk munguan. Në moshën 17-vjeçare, Armando fitoi vendin e parë në Kupën e Nderimit të Figurave të Atletikës Shkodrane, si edhe vendin e parë në stafetën 4×100 metra, duke konkuruar mes sportistëve të rritur.

Sot, atë përvojë të fituar në pistën e atletikës e përcjell te nxënësit e Dukagjinit, duke u mësuar jo vetëm rëndësinë e aktivitetit fizik, por edhe vlerat që sporti kultivon te të rinjtë.

Përtej mësimdhënies, Armando ka një tjetër pasion, turizmin. Ai ka kryer një specializim si udhërrëfyes turistik, duke dëshmuar dëshirën për të zgjeruar njohuritë dhe për t’u zhvilluar në fusha të ndryshme.

Nëntë vite në Dukagjin janë një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të tij profesional. Janë mijëra kilometra të përshkuara, mëngjese të hershme, dimra të vështirë dhe mbi të gjitha një përvojë njerëzore që nuk matet vetëm me vitet e punës.

Në një kohë kur shpesh flitet për vështirësitë e arsimit në zonat e thella, historia e këtij mësuesi shkodran sjell një shembull pozitiv të njerëzve që vijojnë të kontribuojnë larg vëmendjes publike.

Armando Rama është një prej atyre të rinjve që me punën e përditshme dëshmojnë se përkushtimi nuk njeh distanca. Një mësues me përvojë sportive dhe profesionale, që meriton të vlerësohet për atë që ka dhënë dhe për potencialin që ka ende për të ofruar.