“Mjeshtri i Madh”, Muharrem Hoxha, i njohur ndryshe si Rrema i humorit durrsak, nuk i ka kursyer kritikat për nivelin artistik të shfaqjeve të prezantuara në Festivalin Mbarëkombëtar të Humorit “Tano Fest”, që po zhvillohet në Shkodër.

Aktori i njohur ka vlerësuar nismën por është shprehur kritik ndaj cilësisë së humorit të sjellë në skenë. Sipas tij, nga shfaqjet e festivalit, vetëm ajo me protagonist Gentian Zenelajn ka spikatur për vlerat artistike.

Muharrem Hoxha ka kërkuar që në organizime të tilla të ketë një përzgjedhje dhe kontroll më të kujdesshëm të nivelit artistik, në mënyrë që publikut t’i ofrohet humor cilësor.

Pavarësisht kritikave, aktori ka vlerësuar Shkodrën, të cilën e konsideron djepin e humorit dhe të sportit shqiptar, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kësaj tradite.

Deklaratat e Muharrem Hoxhës vijnë në kuadër të festivalit “Tano Fest”, i cili përmbyll edicionin e këtij viti me “Natën e Yjeve”, duke bërë bashkë figura të njohura të humorit shqiptar.