Një shekull nga Kryengritja Antifeudale e Dukagjinit dhe Pukës, në Bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër u organizua një veprimtari historiko-kulturore me temë “Nëntori i Përgjakur 1926 – Kujtesë dhe refleksion historik”.
Kryengritja e nëntorit të vitit 1926 ishte një lëvizje e armatosur kundër regjimit të Ahmet Zogut, e nxitur nga pakënaqësitë politike dhe afrimi i Shqipërisë me Italinë fashiste. E udhëhequr nga dom Loro Caka dhe ish-oficerë nolistë, ajo u shtri në Dukagjin dhe Pukë, duke arritur deri pranë Shkodrës.
Shtypja e kryengritjes u shoqërua me pasoja të rënda, djegie e plaçkitje të fshatrave, arrestime dhe dënime të shumta. Mes viktimave të represionit ishte edhe deputeti dom Gjon Gazulli, i ekzekutuar me varje.
Për studiuesin Prelë Milani, kjo ngjarje përbën një kapitull të rëndësishëm të historisë shqiptare, që kërkon të njihet dhe të trajtohet me vëmendje edhe pas një shekulli.
Veprimtaria, e organizuar nga Shoqata Atdhetare “Dukagjini” në bashkëpunim me Bibliotekën “Marin Barleti”, bëri bashkë studiues dhe njohës të historisë, të cilët sollën referime mbi shkaqet, zhvillimin dhe pasojat e kryengritjes.
Përkujtimi i 100-vjetorit shërbeu edhe si një moment reflektimi mbi ngjarjet e vitit 1926, sakrificat njerëzore dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike për brezat e ardhshëm.
