Shfaqja “Si ne të dy”, me interpretimin e aktorëve të njohur Alfred Trebicka dhe Luiza Xhuvani, u ngjit në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, si pjesë e Festivalit Mbarëkombëtar të Humorit “Tano Fest”. Vepra, e bazuar në “Lojë Martese” të dramaturgut Edward Albee, trajton marrëdhënien në çift, konfliktet dhe sfidat e jetës bashkëshortore, duke ndërthurur humorin me situata emocionale.

Në përfundim të shfaqjes, aktori Alfred Trebicka u shpreh se interpretimi në skenën e Teatrit “Migjeni” merr një vlerë të veçantë, për shkak të historisë dhe traditës artistike që mbart ky institucion.

Festivali Mbarëkombëtar i Humorit “Tano Fest” do të mbyllë këtë edicion me “Natën e Yjeve”, një mbrëmje që do të bëjë bashkë artistë të njohur të humorit shqiptar, duke përmbyllur disa netë shfaqjesh në skenën e Teatrit “Migjeni”.