Partizani dhe Vllaznia përballen këtë të shtunë në një duel të rëndësishëm për javën e 12-të të Abissnet Superiore. Dy skuadrat me traditë në futbollin shqiptar po kalojnë një moment të vështirë, ndërsa statistikat e përballjeve të fundit favorizojnë kuqeblutë.

Në dhjetë ndeshjet e fundit mes tyre në kampionat, Vllaznia ka regjistruar pesë fitore, Partizani dy, ndërsa tri takime janë mbyllur në barazim. Shkodranët kanë shënuar 15 gola kundrejt 9 të kryeqytetasve, duke treguar një epërsi edhe në aspektin ofensiv.

Në sezonin e kaluar, Vllaznia arriti të fitonte tri nga katër përballjet me Partizanin, ndërsa një takim përfundoi në barazim. Ndërkohë, në sfidën e parë të këtij sezoni, të zhvilluar më 5 shtator në Shkodër, Partizani triumfoi 3-2.

Pavarësisht historisë së tyre, të dyja skuadrat ndodhen në pjesën e fundit të renditjes. Ish-futbollisti i Vllaznisë, Edmond Doçi, e lidh këtë situatë me ndryshimet e vazhdueshme që pësojnë ekipet nga një sezon në tjetrin, duke ndikuar në qëndrueshmërinë dhe rezultatet e tyre.

Aktualisht, Vllaznia renditet në vendin e tetë me 12 pikë, ndërsa Partizani mban vendin e fundit me 10 pikë. Kjo e bën edhe më të rëndësishme përballjen direkte, ku të dyja skuadrat synojnë të largohen nga zona e rrezikshme e klasifikimit. Partizani-Vllaznia do të luhet këtë të shtunë, në orën 18:30, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.