Janë përcaktuar datat e kalendarit për pjesën e mbetur të vitit 2026 në Kategorinë Superiore, ku Vllaznia do të zhvillojë edhe shtatë ndeshje deri më 23 dhjetor. Për skuadrën shkodrane, kjo periudhë pritet të jetë mjaft e rëndësishme në përpjekjet për t’u larguar nga zona e poshtme e renditjes.

Kuqeblutë do ta nisin këtë cikël më 21 nëntor, në transfertë ndaj Partizanit, ndërsa më 28 nëntor do të presin Laçin në stadiumin “Loro Boriçi”. Muaji dhjetor parashikon pesë përballje për Vllazninë. Më 2 dhjetor, shkodranët do të luajnë në transfertë ndaj Teutës, ndërsa më 7 dhjetor do të përballen me Dinamon, sërish jashtë fushe.

Më 13 dhjetor, Vllaznia do të presë Egnatian, skuadrën që aktualisht kryeson kampionatin. Më pas, më 19 dhjetor, kuqeblutë do të udhëtojnë drejt kryeqytetit për ndeshjen ndaj Tiranës në Klasiken e futbollit shqiptar, ndërsa më 23 dhjetor do ta mbyllin vitin me takimin në shtëpi kundër Vorës. Pas 12 javësh kampionat, Vllaznia renditet në vendin e tetë me 12 pikë, vetëm dy pikë larg fundit të klasifikimit. Skuadra shkodrane ka regjistruar 12 gola të shënuar dhe 16 të pësuar.

Nga shtatë ndeshjet e mbetura deri në fund të vitit, Vllaznia do të luajë tre në shtëpi dhe katër në transfertë. Një kalendar i ngjeshur, ku pikët do të kenë rëndësi të veçantë për përmirësimin e pozicionit në renditje përpara pushimit dimëror.