Historia tre shekullore e arbëreshëve të Zarës në Kroaci vjen përmes dokumentarit “Arbneshët e Zarës”, realizuar nga regjisori me origjinë nga Peja, Vranin Gecaj. Dokumentari sjell rrugëtimin historik të kësaj bashkësie shqiptare, që rreth 300 vite më parë u shpërngul nga trevat pranë Liqenit të Shkodrës për t’u vendosur në Zarë të Kroacisë, ku pasardhësit e tyre jetojnë edhe sot.
Përmes dëshmive dhe të dhënave historike, regjisori ndalet te shpërngulja, vendosja në një vend të ri dhe përpjekjet e arbëreshëve të Zarës për të ruajtur gjuhën, traditat dhe identitetin e tyre përgjatë shekujve.
“Arbneshët e Zarës” është dokumentari i tretë i një serie realizimesh të Vranin Gecajt, që lidhen me Krajën shqiptare në Malin e Zi. Përmes këtyre produksioneve, regjisori synon të sjellë në vëmendje historinë e kësaj treve dhe lidhjet e saj me komunitetet shqiptare që janë shpërngulur ndër shekuj.
Ndërkohë, Vranin Gecaj ka nisur punën për një tjetër projekt dokumentar. Këtë herë, në qendër të realizimit të tij do të jetë figura e Ali Pashë Tepelenës, një prej personazheve më të njohura të historisë shqiptare.
Me këtë projekt të ri, regjisori vijon angazhimin për dokumentimin dhe trajtimin e ngjarjeve e figurave që kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare.
