E shkuara nuk ruhet vetëm në monumente apo objekte të vjetra. Ajo gjendet edhe në detajet e arkitekturës, në gjurmët e mjeshtërisë dhe në mënyrën se si brezat kanë ndërtuar identitetin e tyre. Një pjesë e kësaj historie është sjellë në Galerinë e Arteve të Shkodrës përmes ekspozitës “Porta e Kohës”, që bashkon trashëgiminë kulturore të Shkodrës, Beratit dhe Korçës.

Për drejtorin e galerisë, Fatmir Juka, materialet e ekspozuara tregojnë se arti nuk është një zhvillim i shkëputur në kohë, por një vazhdimësi që lidh krijimtarinë e hershme me atë të ditëve tona.

Pas skicave dhe materialeve të paraqitura qëndron edhe puna kërkimore e specialistëve të trashëgimisë kulturore. Drejtori i DRTK Shkodër, Petrit Bilali, shpjegon se ekspozita nuk synon vetëm të tërheqë vëmendjen përmes anës artistike, por edhe të njohë publikun me vlerat historike dhe shkencore të kësaj pasurie.

Por njohja e së shkuarës nuk mjafton nëse mungojnë njerëzit që do të kujdesen për të në të ardhmen. Arkitekti Andi Papastefani e sheh këtë ekspozitë edhe si një mundësi për të afruar të rinjtë me trashëgiminë kulturore dhe për të nxitur një qasje më profesionale ndaj restaurimit të monumenteve.

Për disa ditë, Galeria e Arteve e Shkodrës do të jetë një hapësirë ku historia mund të lexohet përmes artit dhe dokumentimit shkencor. Ekspozita, e realizuar nga tri Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, ngre një çështje që shkon përtej vetë aktivitetit: sa mirë e njohim trashëgiminë që kemi dhe sa të përgatitur jemi për ta ruajtur atë?