Vendimet e marra në vitin 1946 për mënyrën se si do të trajtohej letërsia shqipe vijojnë të kenë pasoja edhe sot. Ky është këndvështrimi i shkrimtarit dhe studiuesit Gazmend Krasniqi, sipas të cilit, ndërhyrja e pushtetit në letërsi ka ndikuar jo vetëm në fatin e autorëve, por edhe në mënyrën se si janë përcaktuar dhe transmetuar vlerat letrare ndër breza.

Sipas Krasniqit, letërsia mund të kthehet edhe në produkt të pushtetit, kur shteti, përmes institucioneve të tij, përcakton se cilët autorë promovohen dhe cilët lihen në harresë. Pikërisht këtë marrëdhënie mes krijimtarisë dhe pushtetit ai përpiqet të trajtojë në romanin “Belle Epoque”, ngjarjet e të cilit shtrihen deri në vitin 1946.

Përjashtimi i autorëve të caktuar nga tekstet shkollore gjatë diktaturës, sipas Krasniqit, krijoi për dekada një panoramë të cunguar të letërsisë shqipe. Ai e përshkruan këtë si një piramidë me gjysmëvlera, ku censura ndikoi drejtpërdrejt në hierarkinë e autorëve dhe veprave që iu përcollën lexuesve.

Për shkrimtarin, pasojat e këtyre vendimeve nuk përfunduan me ndryshimin e sistemit politik. Ai vlerëson se mungesa e vlerave që vëren në letërsinë shqipe pas viteve ’90 e deri më sot i ka rrënjët pikërisht në ndërhyrjet e vitit 1946.

Këto qëndrime Krasniqi i ndau gjatë një bashkëbisedimi në Bibliotekën Publike “Marin Barleti” në Shkodër, ku tema “Letërsia dhe pushteti” shërbeu për të trajtuar ndikimin afatgjatë të politikës mbi krijimtarinë dhe vlerësimin letrar.