Historitë, legjendat dhe traditat e zonave të ndryshme të Shkodrës u sollën në skenë nga fëmijët dhe të rinjtë, gjatë aktivitetit “Kuvendi i Historive Lokale”, të zhvilluar në Kinema Republika. Ky aktivitet shënoi përmbylljen e projektit “Çfarë mbjell sot, do ta marrësh nesër”, të realizuar nga organizata The Door Albania.

Projekti përfshiu 72 fëmijë dhe të rinj të Bashkisë Shkodër, të cilët morën pjesë në aktivitete sportive, mjedisore dhe edukative. Synimi ishte nxitja e qytetarisë aktive, përfshirjes sociale dhe angazhimit të të rinjve në jetën e komunitetit.

Në aktivitetin përmbyllës, të rinjtë nga Hoti i Ri, Guri i Zi, Dajçi dhe grupi i Skautistëve Taraboshi prezantuan histori lokale të përgatitura prej tyre. Përmes rrëfimeve dhe interpretimeve artistike, ata sollën në vëmendje trashëgiminë kulturore dhe traditat e zonave që përfaqësonin.

Gjatë takimit u prezantuan edhe rezultatet e projektit, ndërsa përfaqësues të organizatave dhe institucioneve partnere vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së brezit të ri në aktivitete që promovojnë identitetin dhe vlerat lokale. Projekti u realizua në kuadër të programit ReLOaD3, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNDP, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër.

Aktiviteti u përmbyll me shpërndarjen e certifikatave për grupet pjesëmarrëse, duke vlerësuar angazhimin e fëmijëve dhe të rinjve në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së komuniteteve të tyre.