Teatri “Migjeni” në Shkodër do të mirëpresë nga 14 deri më 21 nëntor Festivalin Mbarëkombëtar të Humorit “Tano Fest”. Për tetë netë me radhë, publiku do të ketë mundësi të ndjekë tetë shfaqje humori, nga një çdo mbrëmje, duke rikthyer në skenë traditën e njohur të humorit shkodran.
Festivali synon të promovojë humorin shqiptar dhe të krijojë një hapësirë takimi mes artistëve dhe publikut. Regjisori Arian Çuliqi dhe drejtori i Teatrit “Migjeni”, Gerti Palali, ndalen te rëndësia e këtij aktiviteti dhe organizimi i tij.
“Tano Fest” zhvillohet në prag të 100-vjetorit të lindjes së aktorit të njohur shkodran Tano Banushi, emrin e të cilit mban festivali. Përmes këtij aktiviteti synohet të nderohet figura e artistit që për dekada bëri të qeshin breza të tërë dhe la gjurmë të rëndësishme në historinë e humorit shqiptar.
Përzgjedhja e Teatrit “Migjeni” si vendi ku zhvillohet festivali ka një domethënie të veçantë, pasi pikërisht në këtë skenë Tano Banushi interpretoi për vite me radhë disa prej roleve të tij më të njohura.
Për tetë mbrëmje, Shkodra do të jetë në qendër të humorit shqiptar, ndërsa “Tano Fest” synon të mbajë gjallë trashëgiminë artistike të një prej figurave më të dashura të skenës shkodrane.
