Reshjet intensive të shiut gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar probleme në disa zona të Qarkut Shkodër, kryesisht në Theth dhe Malësi të Madhe. Rritja e menjëhershme e prurjeve të përrenjve dhe lumenjve malorë ka sjellë vërshime të rrëmbyeshme, duke dëmtuar infrastrukturën rrugore dhe vështirësuar qarkullimin.
Sipas përditësimit të Prefekturës së Qarkut Shkodër, në orën 18:00 të kësaj të premteje, situata në Theth po shkon drejt normalizimit, ndërsa reshjet kanë vijuar me intensitet të ulët deri mesatar.
Megjithatë, ura mbi Përroin e Shëut në Theth ka pësuar dëmtime, ndërsa aksi rrugor Theth–Ndërlysaj vijon të jetë i bllokuar për shkak të materialeve inerte që kanë rënë në rrugë.
Ekipet dhe mjetet e Bashkisë Shkodër ndodhen në terren, duke punuar për pastrimin e akseve Theth–Ndërlysaj dhe Prekal–Theth, me synimin për të rikthyer sa më shpejt qarkullimin.
Probleme janë regjistruar edhe në Malësi të Madhe. Në fshatin Preknicaj të njësisë administrative Shkrel, rritja e prurjeve të lumit ka sjellë daljen e ujit në rrugën që lidh katër familje me aksin kryesor. Kalimi është vështirësuar, por nuk raportohet për banesa të përmbytura.
Ndërkohë, në bashkitë Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme, pa emergjenca të raportuara.
Prefektura e Shkodrës dhe strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa u bëjnë apel qytetarëve të shmangin lëvizjet në zonat problematike dhe të udhëtojnë vetëm në raste emergjente.
