Universiteti Ignatianum në Krakov të Polonisë, në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare, organizoi një simpozium shkencor ndërkombëtar kushtuar 160-vjetorit të lindjes së poetit dhe gjuhëtarit të njohur shqiptar, Ndre Mjeda.
Aktiviteti bashkoi studiues, akademikë dhe përfaqësues të institucioneve nga Shqipëria dhe Polonia. Në qendër të diskutimeve ishin vitet e studimit të Ndre Mjedës në Krakov dhe ndikimi i kësaj periudhe në formimin e tij intelektual.
E pranishme ishte edhe rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Blerta Dragusha, e cila vlerësoi kontributin e Mjedës në letërsinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ajo theksoi se lidhja e poetit me Krakovin dëshmon marrëdhëniet e hershme kulturore dhe intelektuale mes dy vendeve.
Gjatë simpoziumit, studiues shqiptarë dhe polakë paraqitën referime shkencore mbi jetën dhe veprën e Ndre Mjedës. Pjesë e aktivitetit ishte edhe shfaqja e një dokumentari të shkurtër kushtuar viteve të qëndrimit të tij në Krakov.
Një tjetër moment i rëndësishëm ishte diskutimi për zgjerimin e bashkëpunimit mes Universitetit të Shkodrës dhe Universitetit Ignatianum. Mes propozimeve ishte edhe vendosja e një pllake përkujtimore kushtuar Ndre Mjedës në Krakov.
Qëllimi i simpoziumit ishte promovimi i trashëgimisë kulturore të poetit shkodran dhe të forcojë lidhjet akademike e kulturore mes Shqipërisë dhe Polonisë.










