Shkodra nderoi një nga emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare, tenorin Ibrahim Tukiçi, në 100-vjetorin e lindjes së tij. Koncerti vokalo-simfonik “Tukiçi i Madh”, i organizuar në Teatrin “Migjeni”, solli një mbrëmje të veçantë muzikore, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur dhe familjarëve të tenorit të shquar.

Pjesë e koncertit ishin edhe dy djemtë e tij, artistët David dhe Genc Tukiçi, të cilët ndanë emocionet e rikthimit në qytetin e origjinës së familjes. David Tukiçi u shpreh se Ibrahim Tukiçi është një nder i kombit shqiptar, edhe pse ende nuk mban zyrtarisht titullin “Nderi i Kombit”.

Ndërsa për Genc Tukiçin, kjo mbrëmje kishte një domethënie të veçantë shpirtërore. Ai u shpreh se përmes këtij koncerti, shpirti i babait të tij u kthye në shtëpinë e vet, në Shkodër, qytetin me të cilin lidhet një pjesë e rëndësishme e identitetit të tij artistik.

Një nga protagonistët e mbrëmjes ishte baritoni i njohur ndërkombëtarisht Gëzim Myshketa, i cili u rikthye në skenën e Teatrit “Migjeni” pas 32 vitesh. Artisti ndau emocionet e këtij rikthimi, që këtë herë përkoi me një koncert kushtuar një prej figurave më të rëndësishme të muzikës shqiptare.

Programi muzikor u pasurua edhe me pjesëmarrjen e korit të fëmijëve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija”. Të gjitha veprat u interpretuan me shoqërimin e drejtpërdrejtë të Orkestrës Simfonike të qytetit të Shkodrës, nën drejtimin e dirigjentes Elda Laro.

Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte përmbyllja e koncertit me këngën e njohur shkodrane “Luleborë”. Publiku i pranishëm në sallën e Teatrit “Migjeni” iu bashkua interpretimit të Gëzim Myshketës, duke e kthyer këngën në një moment të veçantë bashkimi mes artistit dhe spektatorëve.

Koncerti “Tukiçi i Madh” u shndërrua kështu në një homazh për jetën dhe veprën e Ibrahim Tukiçit, duke sjellë në vëmendje trashëgiminë e tij artistike dhe lidhjen e fortë me Shkodrën.