Shkodra, me shtresëzimet e saj arkitekturore të krijuara në periudha të ndryshme historike, ka tërhequr vëmendjen e profesorit italian të historisë së artit, Francesco Poli. Gjatë vizitës në qytet, ai vlerësoi bashkëjetesën mes stileve të ndryshme, nga trashëgimia e hershme, ndikimet italiane e veneciane, deri te arkitektura fetare dhe ajo moderne.
“Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është dialogu mes llojeve të ndryshme të arkitekturës, brenda një strukture urbanistike shumë të ekuilibruar. Edhe ndërhyrjet e arkitekturës bashkëkohore më duken interesante. Shoh se edhe tani ka projekte të reja dhe mendoj se kjo mund të funksionojë mirë. Një qytet, nga njëra anë, duhet të ruajë identitetin e vet përmes arkitekturës që e karakterizon, por nga ana tjetër duhet të vazhdojë të jetë i gjallë”, shprehet Poli.
Për profesorin italian, një nga elementet më të veçanta të Shkodrës është pikërisht mënyra se si arkitektura e periudhave dhe traditave të ndryshme është ndërthurur brenda të njëjtit qytet. Ai ndalet edhe te afërsia mes objekteve të kultit, të cilën e konsideron jo vetëm simbol të harmonisë fetare, por edhe një element me vlerë të veçantë urbane.
Një tjetër objekt që tërhoqi vëmendjen e tij ishte godina e Radio Shkodrës. Poli e identifikon atë si një shembull të arkitekturës racionaliste të viteve ’30-’40, duke e lidhur me zhvillimet më të rëndësishme të arkitekturës moderne europiane.
“Më ka lënë vërtet shumë mbresa. Stili i ndërtesës më kujton arkitekturën e racionalizmit francez, deri diku edhe ndërtesat e radiotelevizionit publik francez, si dhe veprat e arkitektëve të mëdhenj racionalistë”, thekson Poli.
Vlerat e kësaj godine i evidenton edhe pedagogu i skulpturës Vladimir Llakaj, i cili ndalet te rëndësia që kanë këto objekte për kujtesën dhe identitetin arkitekturor të qytetit.
Sipas Polit, ruajtja e trashëgimisë nuk duhet ta pengojë zhvillimin e qytetit, por ndërhyrjet e reja duhet të jenë të kontrolluara, cilësore dhe në harmoni me identitetin ekzistues. Për të, Shkodra është një qytet që ka ditur të ruajë këtë dialog mes së shkuarës dhe së tashmes.
