Koncerti përkujtimor me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tenorit të madh shkodran Ibrahim Tukiçi ka sjellë reagimin kritik të sopranos shkodrane Klodiana Brahimi, e afërme e artistit, e cila shpreh keqardhjen për mungesën e ftesës për të dhe pjesëtarë të tjerë të familjes.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Brahimi kujton me emocion figurën e Ibrahim Tukiçit, vëllait të gjyshes së saj, të cilin e thërriste me përzemërsi “daja”. Ajo e përshkruan si një artist të jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha si një njeri me zemër të madhe, që ruante lidhje të ngushta me familjen dhe qytetin e Shkodrës.
Sopranoja kujton se sa herë tenori vinte në Shkodër për të kënduar, gjente kohë të vizitonte motrën e tij, duke kaluar mbrëmje familjare mes këngëve dhe kujtimeve.
Megjithatë, ajo shpreh zhgënjimin që në një aktivitet kaq të rëndësishëm për figurën e Ibrahim Tukiçit, sipas saj, janë lënë pa ftuar familjarë dhe njerëz që kanë kontribuar në trashëgiminë muzikore të qytetit.
Brahimi thekson se gjatë gjithë jetës e ka konsideruar veten pasardhëse të trashëgimisë artistike të Ibrahim dhe Hysen Tukiçit, ndërsa ngre shqetësimin për mënyrën se si trajtohet kujtesa e artistëve të mëdhenj.
“Ndonjëherë mungesa flet më mirë se ftesa”, shkruan ajo, duke e mbyllur reagimin me një mesazh që shkon përtej pakënaqësisë personale.
Pavarësisht kritikave, sopranoja u uron sukses artistëve që do të interpretojnë në koncert, duke shprehur respektin dhe dashurinë për figurën e Ibrahim Tukiçit, një prej emrave më të rëndësishëm të muzikës shqiptare.
