Shkolla “Mati Lorogreci” në Shkodër pritet t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, ndërsa aktualisht kanë nisur punimet për rrethimin e oborrit. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, inspektoi nga afër ndërhyrjen që po realizohet pas lirimit të hapësirave përreth shkollës.

Punimet po kryhen nga ekipet e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Objekteve Publike dhe përbëjnë fazën paraprake të projektit që synon përmirësimin e kushteve për nxënësit. Pas përfundimit të rrethimit, projekti parashikon ndërhyrje në godinën e shkollës, si dhe ndërtimin e terreneve të reja sportive. Synimi është krijimi i mjediseve më të përshtatshme për zhvillimin e mësimit dhe aktiviteteve fizike.

Terrenet sportive parashikohet të jenë në shërbim jo vetëm të nxënësve, por edhe të komunitetit të lagjes, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e aktiviteteve sportive. Ndërhyrja në shkollën “Mati Lorogreci” është pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në qytetin e Shkodrës.