Mes luleve që zbukurojnë oborrin e shtëpisë së tij, kompozitori Halit Shpuza na mirëpret për të rrëfyer rrugëtimin e gjatë mes arsimit dhe muzikës. Në këtë ambient familjar, ku nuk mungon as bashkëshortja e tij, Teuta, ai ndan kujtime dhe përvoja nga vitet e angazhimit në arsim dhe pasionit për krijimtarinë muzikore.

Një vend të veçantë në rrugëtimin e tij zënë pjesëmarrjet në Festivalin e Këngës “Luleborë”. Së fundmi, krijimi i tij “Jehon pa za”, me tekst të Rozafa Shpuzës dhe interpretuar nga Leonora Çuliqi, u vlerësua me çmimin e dytë në edicionin e 11-të të festivalit.

Pavarësisht pasionit për muzikën dhe vlerësimeve të marra, Halit Shpuza nuk i kursen as kritikat. Sipas tij, krijimtaria muzikore ka nevojë për më shumë vëmendje dhe vlerësim, në mënyrë që puna e kompozitorëve të marrë vendin që meriton në jetën kulturore.

Mes angazhimit të gjatë në arsim dhe krijimtarisë muzikore, Halit Shpuza vijon të ruajë lidhjen me këngën shkodrane, duke dhënë kontributin e tij në pasurimin e një tradite që mbetet pjesë e rëndësishme e identitetit kulturor të qytetit.