Qyteti i Shkodrës, jeta dhe njerëzit e tij kanë qenë gjithmonë burim frymëzimi për piktoren Ikbal Kalaja Bushati. Ajo ishte një nga të ftuarat e takimit “Muzat”, të organizuar në Bibliotekën Publike “Marin Barleti”, ku arti dhe letërsia bënë bashkë dy krijuese shkodrane.
Me një karrierë të gjatë në poezi, Rozafa Shpuza vjen për herë të parë para lexuesve edhe me një novelë, duke shënuar një hap të ri në krijimtarinë e saj letrare. Ajo përcolli edhe një mesazh për lexuesit, me dëshirën që libri të mos mbetet thjesht në vitrina, por të lexohet dhe të bëhet pjesë e jetës së tyre.
Takimi “Muzat” nën moderimin e poetes, Arjola Zadrima, i organizuar nga Biblioteka Publike “Marin Barleti”, krijoi një hapësirë bashkëbisedimi mbi artin, letërsinë dhe përvojat krijuese, duke vënë në vëmendje kontributin e grave në jetën kulturore të qytetit.
