Poezia shqipe dhe promovimi i saj përtej kufijve ishte në qendër të takimit letrar “Udhëtim me poezi përmes Ballkanit”, organizuar në Bibliotekën e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Aleancën Franceze. Aktiviteti solli në vëmendje krijimtarinë poetike të autorëve shqiptarë dhe ballkanikë, të përfshirë në botimin në gjuhën frënge “Voix des Balkans”.
Poeti dhe përkthyesi francez Joël Vernet, i cili ka koordinuar këtë botim prej rreth 200 faqesh, tregoi se antologjia është rezultat i një pune gati trevjeçare. Ai vlerësoi krijimtarinë e poetëve të Ballkanit, duke theksuar se në vargjet e tyre ka gjetur zëra universalë dhe ngjashmëri me krijimtarinë e tij.
“Faleminderit që na keni ftuar në Bibliotekën e Universitetit të Shkodrës. Unë nuk e njihja. Kisha ardhur përpara 20 vitesh për një vizitë private në Shkodër dhe jam rikthyer sërish përpara 5 vitesh. Më pëlqen Shqipëria dhe ky qytet. Në festivalet poetike që zhvillohen në Ballkan, kam takuar shumë poetë, zërat e të cilëve më duken të rëndësishëm. Kam koordinuar një antologji në gjuhën frënge që përmbledh poetë nga ish- Juogosllavia dhe Shqipëria. Ky botim prej rreth 200 faqesh vjen pas një pune gati 3- vjeçare. Në këndvështrimin e një poeti që është vlerësuar me çmime gjatë karrierës mund të them se vlerësoj së tepërmi zërat universalë. Në çdo vend të botës ka poetë që ndonëse është e vështirë të njihen në gjuhën frënge, mund të them se kam gjetur shumë ngjashmëri me shkrimet e mija, ndaj kam vendosur t’i paraqes në këtë antologji”, u shpreh poeti Vernet.
Përkthimi i poezisë mbetet një proces i vështirë, pasi përveç kuptimit të fjalëve, kërkon ruajtjen e emocioneve dhe ndjeshmërisë së autorit. Përkthyesja Drita Brahimi theksoi se përcjellja e ngjyrimeve emocionale nga një gjuhë në tjetrën përbën një nga sfidat kryesore të përkthimit poetik.
Pjesë e kësaj antologjie në gjuhën frënge janë poezitë e autorëve Arian Leka, Rozafa Shpuza, Luljeta Lleshanaku dhe Manjola Nasi. Përfshirja e krijimtarisë së tyre në këtë botim është një mundësi për promovimin e poezisë shqipe dhe njohjen e saj nga lexuesit frankofonë.
