Gjashtë operacione policore janë finalizuar gjatë tre muajve të fundit në Shkodër, në kuadër të goditjes së rasteve të prostitucionit dhe përshtatjes së ambienteve për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Shifra bëhet e ditur nga shefi i Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Shkodër, Jordan Istrefi, i cili thekson se, së bashku me operacionet e zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, numri i tyre i kalon dhjetë. Ai shprehet se policia është e vendosur t’i ndjekë deri në fund këto raste.

Parandalimi i shfrytëzimit të të miturve mbetet një tjetër drejtim i rëndësishëm i punës së këtij seksioni. Në këtë kuadër, bashkëpunimi me qytetarët dhe veçanërisht me institucionet arsimore konsiderohet një hallkë e rëndësishme për evidentimin dhe parandalimin e rasteve të mundshme.

Strukturat e Antitrafikut në Shkodër synojnë të forcojnë bashkëpunimin me komunitetin dhe institucionet, ndërsa vëmendja mbetet te goditja e veprimtarive të paligjshme dhe mbrojtja e personave të rrezikuar nga shfrytëzimi.