Një tjetër zjarr në pjesën e sipërme të një ndërtese ka alarmuar qendrën e Shkodrës. Pasditen e kësaj të hëne, flakët përfshinë ambientet e një lokali në katin e 11-të të një pallati, ndërsa era e fortë favorizoi përhapjen e tyre.

Ngjarja vjen vetëm 36 ditë pas zjarrit të 27 shtatorit, kur flakët përfshinë çatinë e një hoteli në qendër të qytetit.

Në rastin e kësaj të hëne, ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse bëri të mundur izolimin e zjarrit, ndërsa sipas informacioneve paraprake nuk raportohen persona të lënduar.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, konfirmoi se zjarri është izoluar plotësisht dhe se institucionet përkatëse po hetojnë për zbardhjen e shkaqeve.

Reagimi publik i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci

Mirënjohje çdo punonjësi të shërbimit zjarrfikës, Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake dhe shërbimit shëndetësor për gatishmërinë dhe reagimin e shpejtë ndaj zjarrit në qendër të qytetit.

Zjarri është izoluar plotësisht, ndërsa institucionet përkatëse po hetojnë për zbardhjen e shkaqeve.

Faleminderit të gjithëve që me përkushtim e profesionalizëm, u angazhuan për sigurinë e qytetarëve në ato momente! 🙏

Edhe zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër, Marian Ndershtiqaj, në një prononcim për mediat, theksoi reagimin e menjëhershëm dhe koordinimin e shërbimeve të emergjencës, duke falënderuar zjarrfikësit, policinë dhe personelin shëndetësor.

Dy rastet e regjistruara brenda një periudhe të shkurtër në qendër të Shkodrës rikthejnë në vëmendje rëndësinë e masave të sigurisë nga zjarri, veçanërisht në ambientet tregtare që ndodhen në pjesët e sipërme të ndërtesave.

Ndërkohë, shkaqet e zjarrit të kësaj të hëne dhe përmasat e dëmeve materiale mbeten ende për t’u përcaktuar.