Vllaznia nuk arrin të dalë nga kriza e rezultateve, duke regjistruar një tjetër barazim në kampionat. Kuqeblutë e mbyllën në shifrat 1-1 përballjen në transfertë ndaj Skënderbeut, të vlefshme për javën e dhjetë të Abissnet Superiore.

Vendasit ishin më kërkues në pjesën e parë dhe pas disa rasteve të krijuara arritën të kalonin në avantazh në minutën e 31-të me anë të Bismark. Në pjesën e dytë, Vllaznia reagoi dhe arriti të rikthente baraspeshën në minutën e 67-të, falë golit të kapitenit Bekim Balaj.

Takimi nuk kaloi pa polemika, pasi Skënderbeu pretendoi për një ndërhyrje të parregullt në aksionin e golit të Balajt, ndërsa shkodranët kërkuan në disa raste akordimin e një penalltie. Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, rezultati mbeti i pandryshuar deri në përfundim.

Me këtë barazim, Vllaznia ngjitet në kuotën e 9 pikëve, por vijon të mbetet në vendin e parafundit të renditjes, duke konfirmuar situatën e vështirë që po kalon në këtë fillim sezoni. Në javën e ardhshme, kuqeblutë do të presin Elbasanin në stadiumin “Loro Boriçi”, në një tjetër përballje të rëndësishme për t’u rikthyer te fitorja.