Pavarësisht thirrjes së Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë për bojkot të mësimdhënies në universitetet publike, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dita e sotme është shoqëruar me një situatë përgjithësisht të qetë, ndërsa përfshirja e pedagogëve në këtë nismë mbetet ende e paqartë.

Sipas burimeve të brendshme, çështja e pjesëmarrjes në bojkot është në fazë shqyrtimi, ndërsa deri më tani nuk ka një vendim të konfirmuar për ndërprerjen e procesit mësimor në këtë universitet.

Megjithatë, situata nuk ka qenë e njëjtë në të gjitha godinat universitare. Në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, gjatë ditës së sotme nuk është zhvilluar mësim, ndonëse nuk është konfirmuar nëse kjo lidhet me thirrjen për bojkot apo me arsye të tjera.

Ndërkohë, në fakultetet e tjera është konstatuar prani e zakonshme e studentëve dhe lëvizje në mjediset universitare, pavarësisht reshjeve të shiut që kanë përfshirë qytetin e Shkodrës. Atmosfera është paraqitur e qetë, pa grumbullime apo reagime të organizuara në mbështetje të bojkotit.

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka njoftuar nisjen e bojkotit nga data 21 tetor, duke u bërë thirrje pedagogëve të solidarizohen me studentët dhe të mbështesin kërkesat e tyre. Sipas njoftimit, bojkoti do të vijojë deri në një vendim të dytë të sindikatës.

Edhe përfaqësuesi i sindikatës në Shkodër ka përcjellë njoftimin zyrtar, por ende nuk është konfirmuar nëse pedagogët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” do t’i bashkohen kësaj nisme. Për momentin, mbetet për t’u parë qëndrimi që do të mbajnë pedagogët shkodranë në ditët në vijim dhe nëse thirrja për bojkot do të ndikojë në zhvillimin e procesit mësimor në këtë universitet.