Vargjet e Migjenit u rikthyen në teatrin që mban emrin e tij, këtë herë për të kujtuar 115-vjetorin e lindjes së një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare. Përmes interpretimeve të aktorëve shkodranë, poezia e tij solli sërish mesazhet dhe realitetin shoqëror që poeti pasqyroi në krijimtarinë e tij.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se tetë dekada nga ndarja e tij nga jeta, krijimtaria e Migjenit vijon të mbetet aktuale. Interpretimet në hollin e Teatrit “Migjeni” rikthyen në vëmendje forcën e vargjeve të poetit të mjerimit dhe vendin që ai zë në kulturën shqiptare.
Një tjetër këndvështrim mbi trashëgiminë e tij u soll përmes dokumenteve arkivore. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave prezantoi në hollin e teatrit një ekspozitë me dokumente dhe materiale që pasqyrojnë jetën e Migjenit, si dhe premierat artistike kushtuar atij ndër vite.
Homazhi ndaj poetit u përcoll edhe nga brezi i ri. Pranë bustit të Migjenit, Biblioteka Publike “Marin Barleti”, në bashkëpunim me gjimnazin “Jordan Misja”, solli interpretime të vargjeve të tij nga nxënësit, duke dëshmuar se krijimtaria e poetit vijon të frymëzojë edhe të rinjtë e sotëm.
115-vjetori i lindjes së Migjenit shërbeu kështu edhe si një mundësi për të rikthyer në kujtesën e publikut jo vetëm veprën e tij letrare, por edhe mënyrën se si krijimtaria e poetit është përcjellë ndër breza përmes teatrit, letërsisë dhe artit.
