Mundja shkodrane vijon përgatitjet për sezonin e ri sportiv, që pritet të nisë në fund të muajit tetor. Nën drejtimin e trajnerit Altin Anza, sportistë të moshave të ndryshme po zhvillojnë seancat stërvitore, ndërsa një nga shqetësimet kryesore mbeten kushtet e papërshtatshme të palestrës. Hapësira e vogël ku stërvitet ekipi i Vllaznisë nuk i përgjigjet nevojave të një sporti me traditë dhe rezultate në Shkodër.

Pavarësisht vështirësive në infrastrukturë, mundja shkodrane vazhdon të ruajë traditën e saj. Veterani i këtij sporti, Tonin Demaj, vlerëson vazhdimësinë e mundjes në qytet dhe rëndësinë e përfshirjes së brezave të rinj.

Pjesë e ekipit të Vllaznisë janë edhe të rinjtë medalistë Klevis Koçeku dhe Eglis Mhillaj, të cilët po përgatiten për sfidat e sezonit të ardhshëm. Ata përfaqësojnë brezin e ri që synon të çojë përpara rezultatet dhe traditën e mundjes shkodrane.

Me përfundimin e një sezoni dhe afrimin e një tjetri, Vllaznia në mundje synon të vijojë rezultatet pozitive, ndërsa përmirësimi i kushteve të stërvitjes mbetet një nevojë për sportistët që përfaqësojnë Shkodrën në këtë disiplinë.