Kampionati Kombëtar i Boksit është shoqëruar me tensione dhe incidente, të cilat kanë çuar në moszhvillimin e ndeshjeve finale në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë. Shkak është bërë refuzimi i arbitrave për të gjykuar përballjet, pas kërcënimeve që dyshohet se kanë marrë nga drejtues të ekipeve pjesëmarrëse.
Sipas raportimeve mediatike, problemet kanë nisur që në ditën e parë të kampionatit, kur tre arbitra janë tërhequr si pasojë e presioneve. Situata është përshkallëzuar të premten, kur kryegjyqtari i kampionatit raportohet se është goditur nga një boksier pas përfundimit të një ndeshjeje.
Pavarësisht përpjekjeve të drejtuesve të Federatës Shqiptare të Boksit për të normalizuar situatën, arbitrat nuk kanë pranuar të ngjiten në ring. Pas rreth tre orësh pritjeje, sportistët e ekipeve pjesëmarrëse janë larguar nga Pallati i Sportit pa zhvilluar ndeshjet finale.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe trajneri i ekipit të boksit të Vllaznisë, Zef Gjoni, i cili është prononcuar për mediat.
Pas këtyre zhvillimeve, pritet një vendimmarrje nga Federata Shqiptare e Boksit, si për masat që mund të merren lidhur me incidentet e raportuara, ashtu edhe për fatin e ndeshjeve finale që mbeten ende të pazhvilluara.
