Vllaznia e basketbollit për meshkuj e ka nisur me fitore sezonin e ri të Superligës, duke mposhtur Elbasanin me rezultatin 97-80 në ndeshjen e zhvilluar në Shkodër. Kuqeblutë, të drejtuar nga trajneri Eni Llazani, dominuan përballjen, duke siguruar një sukses të rëndësishëm në javën e parë të kampionatit.

Pavarësisht se përballë kishin një kundërshtar të përforcuar me katër basketbollistë amerikanë, shkodranët treguan epërsi që në minutat e para. Perioda e parë u mbyll 33-28 në favor të Vllaznisë, ndërsa në të dytën vendasit thelluan diferencën, duke shkuar në pushim me avantazhin 59-39.

Dominimi i kuqebluve vijoi edhe në periodën e tretë, të cilën e fituan 20-16, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm në 79-55. Në dhjetëminutëshin e fundit, trajneri Llazani u dha më shumë hapësirë basketbollistëve të rinj, ndërsa Elbasani arriti të ngushtonte diferencën, pa e vënë në diskutim fitoren e Vllaznisë.

Në përfundim të takimit, trajneri Eni Llazani u prononcua për paraqitjen e skuadrës, ndërsa veçoi edhe basketbollistin e ri Sead Kopliku, të cilit i besoi minuta në parket.

Fitorja 97-80 ndaj Elbasanit përbën një nisje pozitive për Vllazninë, e cila synon të jetë konkurruese gjatë këtij sezoni në elitën e basketbollit shqiptar. Në javën e dytë të Superligës, kuqeblutë do të luajnë në transfertë përballë Pogradecit, të dielën e 18 tetorit.