Në një kohë kur Shkodra po mirëpret edicionin e pestë të Festivalit të Filmit “Idromeno”, vëmendja shkon edhe te zhvillimet e kinematografisë shqiptare. Regjisori Robert Budina e konsideron atë tashmë të konsoliduar, duke evidentuar veçanërisht rolin e brezit të ri të kineastëve shqiptarë, të cilët po bëhen pjesë e festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare të filmit.
Një tjetër zhvillim që vlerësohet nga regjisori Budina është rikthimi i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, pas një ndërprerjeje shumëvjeçare. Sipas tij, organizimi i këtij festivali përbën një moment të rëndësishëm për kinematografinë vendase.
Festivale të tilla krijojnë hapësira për promovimin e krijimtarisë filmike dhe takimin e kineastëve me publikun, ndërsa pjesëmarrja ndërkombëtare e regjisorëve të rinj mbetet një tregues i rëndësishëm i zhvillimit të kinematografisë shqiptare.
