Kombëtarja shqiptare e vajzave është mundur minimalisht 0-1 nga Uellsi në stadiumin “Loro Boriçi”, në ndeshjen e parë të raundit play-off për kualifikimin në Kampionatin Botëror 2027. Pavarësisht rezultatit, kuqezinjtë e drejtuara nga trajneri Armir Grima zhvilluan një paraqitje dinjitoze, duke rivalizuar me kundërshtaret dhe krijuar disa mundësi për shënim.
Takimi nisi i ekuilibruar, me Shqipërinë që kërkoi të rrezikonte portën kundërshtare përmes Gresa Berishës, Fortesa Berishës dhe Qendresa Krasniqit. Megjithatë, ishte Uellsi që kaloi në avantazh në minutën e 21-të me Rowe, e cila përfitoi nga një rrëmujë në zonën kuqezi. Përpara përfundimit të pjesës së parë, trajneri Grima u detyrua të zëvendësonte Sara Maliqin e dëmtuar me Xhesika Ndojin.
Në pjesën e dytë, Shqipëria shtoi përpjekjet për të gjetur golin e barazimit. Fortesa Berisha ishte pranë realizimit, por fillimisht u ndal nga portierja kundërshtare dhe më pas goditi traversën. Në minutën e 66-të, Qendresa Krasniqi dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje të Fortesa Berishës. Kjo e fundit pati edhe një tjetër mundësi shënimi, por goditja e saj përfundoi mbi portë.
Pas përfundimit të takimit, trajneri i Kombëtares, Armir Grima, vlerësoi paraqitjen e futbollisteve kuqezi, të cilat arritën të rivalizonin me Uellsin pavarësisht humbjes minimale. Pavarësisht humbjes në Shkodër, Kombëtarja shqiptare e vajzave mbetet në garë për kualifikimin, ndërsa gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit. Kuqezinjtë do të përballen sërish me Uellsin më 13 tetor, në orën 20:15, këtë herë në transfertë, ku do të kërkojnë përmbysjen e rezultatit dhe vazhdimin e rrugëtimit drejt Botërorit 2027.
