Vllaznia përgatitet për përballjen me Dinamo City, në një moment të vështirë për skuadrën shkodrane. Vetëm 24 orë përpara kësaj sfide, trajneri i ri i kuqebluve, Csaba Laszlo, doli në konferencë për mediat, duke folur për situatën në ekip dhe objektivat e tij. Tekniku la të kuptohet se për momentin përparësi mbetet largimi nga zona e rrezikut dhe sigurimi i mbijetesës në Kategorinë Superiore.
Trajneri i ri pranoi se skuadra po kalon një periudhë të vështirë edhe në aspektin psikologjik. Sipas tij, rikthimi i besimit te futbollistët është një nga sfidat kryesore për të ndryshuar situatën dhe për ta rikthyer Vllazninë te rezultatet pozitive.
Përballja Vllaznia–Dinamo City, e vlefshme për javën e gjashtë të kampionatit Abissnet Superiore, do të luhet të dielën në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Kjo sfidë do të jetë edhe një provë e rëndësishme për trajnerin e ri në drejtimin e kuqebluve. Ndeshja do të transmetohet në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
