Vllaznia ka kaluar orë të tensionuara, pas bojkotit të futbollistëve për shkak të pakënaqësive që sipas burimeve jozyrtare dyshohet të jenë të lidhura me pagat e prapambetura. Situata u bë e dukshme pasditen e së enjtes, kur pjesa më e madhe e skuadrës nuk u paraqit në seancën stërvitore të planifikuar në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Nën drejtimin e trajnerit të ri Csaba Laszlo, në stërvitje u paraqitën vetëm katër futbollistë të ekipit të parë, Bizi, Uldedaj, Tahiri dhe Ara, së bashku me lojtarë të akademisë. Të pranishëm ishin edhe presidenti Alban Xhaferi dhe drejtori i ri sportiv Alban Hasani, por asnjëri prej tyre nuk dha sqarime për mediat mbi situatën e krijuar.

Megjithatë, bojkoti ka zgjatur vetëm një ditë. Pas bisedimeve mes palëve, futbollistët dhe drejtuesit e klubit kanë arritur një marrëveshje, duke bërë që kuqeblutë t’i rikthehen normalisht stërvitjes paraditen e së premtes.

Pavarësisht këtij zhvillimi, nuk është bërë i ditur asnjë detaj mbi marrëveshjen dhe mënyrën se si do të trajtohet çështja e pagave të prapambetura.

Rikthimi i futbollistëve në fushë qetëson për momentin situatën te Vllaznia, ndërsa trajneri Csaba Laszlo mund të vijojë përgatitjet me skuadrën e plotë në prag të përballjes me Dinamo City në stadiumin “Loro Boriçi”.