Investimet për përmirësimin e infrastrukturës sportive në Shkodër do të vijojnë edhe në periudhën në vazhdim. Përtej vendosjes së rreth 700 ulëseve të reja në tribunën VIP të stadiumit “Loro Boriçi”, ndërhyrjet do të shtrihen edhe në pankinat e futbollistëve dhe ambiente të tjera të këtij impianti. Këtë e konfirmon drejtori i Mirëmbajtjes së Objekteve Publike në Bashkinë Shkodër, Gjozef Kulla.

Por stadiumi “Loro Boriçi” nuk do të jetë i vetmi impiant sportiv ku parashikohen investime. Sipas Kullës, ndërhyrje do të ketë edhe në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, me synim përmirësimin e kushteve infrastrukturore në këtë objekt.

Përmirësimi i infrastrukturës në këto dy impiante sportive mbetet i rëndësishëm për zhvillimin e aktiviteteve dhe ndeshjeve të ekipeve shkodrane. Ndërhyrjet e paralajmëruara synojnë të krijojnë kushte më të përshtatshme për sportistët dhe publikun.