Pas më shumë se një jave kushtuar artit të kinemasë, Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Idromeno” ka përmbyllur edicionin e tij të pestë në Shkodër. Kinema “Republika” u shndërrua në hapësirën kryesore të festivalit, duke mirëpritur filma të zhanreve të ndryshme dhe duke krijuar mundësi për takime mes publikut dhe kineastëve. Drejtorja artistike, Sonela Pirani, vlerëson rëndësinë e kësaj hapësire kulturore, si dhe praninë e regjisorëve në disa prej netëve të festivalit.

Përtej shfaqjeve filmike, festivali krijoi mundësi për diskutime dhe shkëmbim mendimesh rreth krijimtarisë kinematografike. Anëtari i jurisë, Suad Arilla, veçon pikërisht takimet dhe bisedat mbi filmat, si një nga aspektet e rëndësishme të këtij edicioni.

Nata përmbyllëse u shoqërua edhe me shpalljen e fituesve. Çmimi për filmin më të mirë artistik me metrazh të gjatë iu dha filmit “Aisha Can’t Fly Away”, me regji të Morad Mostafa. Në kategorinë e filmit më të mirë me metrazh të shkurtër, fitues u shpall “The Shot”, me regji të Quim Melchor Lleixà, ndërsa çmimin për regjinë më të mirë të filmit të shkurtër e fitoi Adas Burksaitis me filmin “On Purpose”.

Filmi “Nayzak”, me regji të Elio Fouad Sahyoun, u vlerësua si filmi më i mirë i animuar, ndërsa çmimi për filmin më të mirë studentor shkoi për “Dream Up the Title”, me regji të Klaudia Fortuniak.

Përgjatë edicionit të pestë, festivali solli për publikun shkodran prodhime kinematografike të zhanreve të ndryshme, duke krijuar hapësira për njohjen e krijimtarisë së regjisorëve dhe kineastëve nga vende të ndryshme.

Me ndarjen e çmimeve u përmbyll një tjetër edicion i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Idromeno”, i cili vijon të kontribuojë në pasurimin e jetës kulturore të Shkodrës dhe promovimin e artit të shtatë.