Pas 31 vitesh, atletika shkodrane përfiton kushte të reja infrastrukturore për stërvitjen dhe përgatitjen e sportistëve. Një sallë force dhe dhoma zhveshjeje janë tashmë në dispozicion të atletëve të Vllaznisë, falë një investimi të Bashkisë Shkodër, që i përgjigjet një kërkese të kahershme të komunitetit të atletikës.

Për kryetrajnerin e atletikës së Vllaznisë, Albert Marashi, krijimi i këtyre kushteve përbën një zhvillim të rëndësishëm për disiplinën sportive, e cila ndër vite ka sjellë rezultate dhe medalje për ngjyrat kuqeblu.

Ambientet e reja u inspektuan nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili vlerësoi kontributin e atletëve shkodranë dhe rezultatet e arritura në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Kryebashkiaku shprehu besimin se përmirësimi i kushteve të stërvitjes do të ndikojë pozitivisht në përgatitjen e sportistëve dhe arritjen e sukseseve të tjera.

Investimi në palestrën e atletikës synon jo vetëm përmirësimin e kushteve për sportistët aktualë, por edhe krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm për brezat e rinj që zgjedhin këtë disiplinë. Ndërhyrja është pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e infrastrukturës sportive në qytetin e Shkodrës.