Java e parë e vitit të ri akademik në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” po i kushtohet edhe orientimit dhe përshtatjes së studentëve me jetën universitare. Përmes Javës së Mirëseardhjes, të rinjtë kanë mundësinë të njihen më nga afër me fakultetet, departamentet, shërbimet studentore dhe mundësitë që ofron universiteti gjatë rrugëtimit të tyre akademik.

Rëndësinë e kësaj jave, veçanërisht për studentët që ulen për herë të parë në auditorët universitarë, e evidenton drejtorja e Marrëdhënieve me Publikun dhe Studentët, Dr. Kleida Heta.

Njohja me mjediset universitare, bibliotekën, strukturat akademike dhe mundësitë e përfshirjes në jetën studentore synon ta bëjë më të lehtë kalimin nga shkolla e mesme në universitet. Për vetë studentët, këto ditë janë një mundësi për t’u orientuar më mirë dhe për të krijuar kontaktet e para me njëri-tjetrin dhe pedagogët.

Java e Mirëseardhjes përfshin të gjashtë fakultetet e Universitetit të Shkodrës dhe vijon deri të premten. Përtej njohjes me auditorët dhe programet e studimit, synimi është që studentët të ndihen pjesë e komunitetit universitar që në ditët e para të vitit akademik.