Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur këtë të mërkurë aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në procesin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Procesi gjyqësor kishte nisur më 3 prill 2023, ndërsa shpallja e aktgjykimit ishte planifikuar zyrtarisht për 16 shtator 2026. 

Sipas aktgjykimit të shpallur, Hashim Thaçi është dënuar me 25 vite burg, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite. Kadri Veseli është dënuar me 18 vite burg, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite, duke e çuar në 81 vite burg totalin e dënimeve për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.

Trupi gjykues i shpalli ata fajtorë për një sërë krimesh lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme, ndërsa u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit dhe për disa akuza e incidente të tjera.

Gjatë shpalljes së vendimit, gjykata theksoi se përgjegjësia e secilit është individuale, por konstatoi se të katërt kishin vepruar së bashku në kuadër të një qëllimi të përbashkët. Sipas trupit gjykues, Thaçi kishte rol kyç në formulimin dhe zbatimin e këtij qëllimi, ndërsa Veseli kishte dhënë kontribut në zbatimin e tij dhe në identifikimin e kundërshtarëve.

Për Rexhep Selimin, gjykata konstatoi rol në krijimin dhe funksionimin e zonave operative dhe emërimin e personave në pozita kyçe, ndërsa Jakup Krasniqi u gjet përgjegjës për kontributin në strukturat dhe organet e UÇK-së dhe dijeninë që, sipas gjykatës, kishte për ndalime, keqtrajtime dhe vrasje të paligjshme.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë vendimin. Çështja ndaj katër ish-drejtuesve lidhet me ngjarje të periudhës mars 1998–shtator 1999 në Kosovë dhe në disa lokacione në veri të Shqipërisë.