Laçi fitoi 2-0 kundër Vllaznisë për javën e katërt të kampionatit, pas një ndeshjeje plot tension e me largim tifozësh nga tribuna. Golat e pjesës së dytë ngjitën vendasit në vendin e katërt, ndërsa shkodranët janë të fundit në renditje, me dy pikë, po aq sa Skënderbeu. 

Laçi është ngjitur në vendin e katërt në “Abissnet Superiore” pas fitores 2-0 kundër Vllaznisë, në një ndeshje të tensionuar në fushë e tribuna. Fitorja e bardhezinjve e ka zhytur Vllazninë në një krizë rezultatesh e nervash, me vetëm dy pikë pas katër javëve.

Pas pjesës së parë me topin të luajtur më tepër nga shkodranët por pa raste, pjesa e dytë nisi me gol, në minutën e 50-të, kur Cena shënoi golin e parë të Laçit. Vllaznia përpiqet të kthejë ekuilibrin, por në minutën e 71-të e sheh veten edhe në disavantazh numerik, kur Mehmeti ndëshkohet me karton të kuq, pas një reagimi karshi tifozëve vendas.

Kartoni i kuq sjell një ndërprerje të gjatë të lojës, midis kërkesave të shkodranëve për shpjegime, por edhe kërkesës së gjyqtarit Cjapi për boshatisjen e tribunës nga e cila u shkaktua incidenti. Gjyqtari duket i palëkundur në vendimin e tij dhe loja rinis pas 17 minutave, pasi Mehmeti largohet nga fusha dhe tifozët nga tribuna.

Për Vllazninë bëhet më e vështirë në minutën e 89-të, kur Traore shënon golin e dytë, falë një topi të ardhur nga e djathta e që kaloi gjithë pasqyrën e portës shkodrane para se të kthehej drejt rrjetës.

Një gjuajtje në zonë e Balajt në minutën e 94-t ishte i vetmi rast që Vllaznia rrezikoi deri në përfundim të takimit, që nxori fituese skuadrën e Qatip Osmanit. Laçi shkon shtatë pikë, ndërsa Vllaznia mbetet dy, në vendin e fundit në renditje.