Nga Qamil Gjyrezi

Muzika shkodrane e krijuar dhe popullore nuk është thjesht argëtim, por një rrëfim i thellë shpirtëror që përcjell emocione të fuqishme dhe universale. Këngët shkodrane janë të mbushura me ndjenja të pastra, ku spikasin dimensione të rëndësishme emocionale dhe kulturore.

Para disa ditësh ishim të ftuar, së bashku me Dhuratën, në një dasmë shkodrane të Kristi Fishtës dhe Rud, në Utrecht të Holandës. Dasma shkoi shumë mirë në të gjitha aspektet. Në këtë dasmë holandeze dhe shkodrane, krahas organizimit shumë të mirë dhe me shumë shije, një rol të rëndësishëm pati edhe muzika.

Muzika performohej nga DJ “Final E”, një DJ shumë i njohur jo vetëm në Utrecht. Një DJ mund të luajë pothuajse çdo lloj muzike, por zgjedhja varet plotësisht nga lloji i eventit, audienca dhe stili personal i vetë DJ-it.

Krahas rrymave house, techno, hardcore, trance, electro, pop, Hip-Hop dhe R&B, DJ kishte miksuar edhe muzikë shkodrane e shqiptare nga veriu dhe jugu, muzikë popullore dhe tradicionale, të përzgjedhur me shumë shije.

Një DJ profesionist nuk luan thjesht këngët që i pëlqejnë vetë. Ai lexon publikun, duke parë se si reagojnë njerëzit në pistën e kërcimit, dhe përzien rryma të ndryshme, duke përdorur efekte dhe kalime të buta, në mënyrë që muzika të mos ndërpritet.

Në këtë dasmë të miqve tanë të nderuar, unë luajta në trombë dhe Dhurata në flaut, ndërsa kënduam së bashku me pjesëmarrësit këngët “Kacurrelat” dhe “Margjelo” të kompozitorit Prenk Jakova, si dhe një pjesë të njohur të titulluar “Tequila”.

Kënga “Margjelo” ka lidhje edhe me familjen Fishta, pasi është kënduar shumë bukur nga sopranoja e mirënjohur shkodrane Florinda Fishta Gjergji.

Këngët shkodrane u pritën shumë mirë nga pjesëmarrësit në dasmë, mes të cilëve kishte ish-studentë nga Europa dhe Azia, miq të Kristit dhe Rud. Këngët shkodrane tingëllonin shumë bukur krahas rrymave të tjera muzikore të miksuara nga DJ.

Muzika shqiptare është një mjet komunikimi dhe tregon prejardhjen, mendjen dhe shpirtin tonë. Muzika shqiptare, e jugut dhe e veriut, duhet të luhet jo vetëm në skena, por edhe në ambiente, evente dhe dasma në të gjithë Europën.

Muzika shkodrane është shpirti dhe identiteti kulturor i Shqipërisë së Veriut, një trashëgimi unike që ndërthur zotësinë poetike me meloditë e ëmbla dhe melankolike.