Nga Inva Topalli

Mbrëmë u mbyll Festivali i 14-të i Filmit Shqiptar. Për të qenë e sinqertë, e kam përcjellë përciptas pa ndonjë interes të veçantë.

Së pari, sepse po përgatis çeljen e Sezonit të ri të Atelierit tim digjital Lex Aeterna Lux në YouTube – që do të jetë i fuqishëm; e së dyti, sepse përgjithësisht këto lloj festivalesh i konsideroj fasada të dobëta për punët e ndenjura!

Unë vlerësoj çdo produkt artistik, pasi pas tij qëndron gjithmonë një mund i madh – e sa më e mirërenduar të jetë puna, aq më serioz del produkti.

Por jo punët e bëra me këmbë!

Qe nga gabimet trashanike me portretet, e deri te ato 700 çmimet e dhëna pa kriter në një shtet që pothuajse s’ka kinema (ato që ka s’ia përdor njeri, e filmin shqiptar nuk e sheh më askush) – serioziteti humbet krejtësisht. Vlera humbet!

Biles, merita kryesore për gjithë debatin e ndezur dhe risjelljen në vëmendje të kinematografisë shqiptare bie mbi Mevlan Shanaj dhe Ben Blushin.

I pari me kritikën e sinqertë në alarmin që ngre dhe i dyti me provokimin e pastër që bëri (po, ishte provokim, jo analizë).

  1. Pse zgjodha Kinemanë?

Kur vendosa të sjell projektin tim të ri editorial – Lex Aeterna Lux, një format që vjen për herë të parë në gjuhën shqipe — përzgjedhja e Kinemasë nuk ishte rastësi e as një rrjedhë e natyrshme e prirjeve të mia të hershme, siç më komplimentojnë shpesh miq e të afërm.

Zgjodha Kinemanë sepse është Arti i Shtatë. Është ai art elitar që bën bashkë gjithë të tjerët – nga Letërsia e Muzika, te Piktura e Arkitektura – duke shkrirë kohën dhe hapësirën në një vend të vetëm për t’i folur drejtpërdrejt Individit dhe Jetës në të gjitha dimensionet e saj.

Por mbi të gjitha, Kinemaja ishte e vetmja urë, që përveçse t’i sugjeroja shikuesit Artin e Mirë, do të më lejonte të realizoja atë që kisha në mendje: analizën time multidisiplinore.

Për mua është një mjet i vërtetë pune, një laborator i gjallë, ku përmes skenave dhe anatomisë së filmit zbërthej dinamikat reale të jetës përtej klisheve sipërfaqësore, në shembuj konkretë ilustrues për ndjekësit e mi: nga Soft Skills-at, strategjitë e punës e karrierës dhe mënyra se si duhet të lundrosh në mjedise komplekse, deri te Kultura e sjelljes, Bon-Toni dhe Eleganca pa kohë si mjete fuqizimi personal.

​Kush mëson të dekodifikojë dhe të zbërthejë një film të mirë, mëson të lexojë më qartë prapaskenat e jetës reale.

Kinemaja ka fuqinë e jashtëzakonshme ta shtyjë njeriun të bëjë katarsis, duke e ndihmuar këtë projekt të jetë një ndihmë konkrete, ku Arti i Mirë shërben si pasqyrë për të transformuar mënyrën se si mendojmë, veprojmë dhe fitojmë çdo ditë.

Ndaj, nuk është rastësi që Kinemaja ka qenë historikisht edhe arma më e fuqishme e propagandës shtetërore; pikërisht sepse ajo kontrollon mënyrën se si ne e shohim botën dhe se si e jetojmë atë.

  1. Projektligji i Ri dhe “Anestezia Estetike”

Dhe z. Shanaj i di shumë mirë këto, e njeh shumë mirë rëndësinë e Kinemasë. Ndaj ja kuptoj shqetësimin kur ngre alarmin për projektligjin e ri që po përgatitet. Ky ligj i ri po propozohet si shpëtimtari dhe modernizuesi i situatës mjerane të kinematografisë shqiptare.

Si juriste dhe studiuese arti them se reforma është e nevojshme. Në dukje ka elementë pozitivë: sfidohet varfëria kronike e buxhetit, rritet Aksesibiliteti dhe Distribucioni. Mirëpo… kush i garanton këto?! Ku janë mekanizmat radikalë të Transparencës?! Kush garanton kundër riciklimit “të klaneve”?

Me përqendrimin te cash rebate, stimujt financiarë dhe bashkëprodhimet ndërkombëtare, ekziston rreziku real që regjisorët dhe kineastët tanë të shndërrohen vërtet në “servis” me krah të lirë të pune, duke e vrarë përfundimisht vizionin për “Film d’Auteur” në Shqipëri. Duke rrezikuar t’u heqë edhe ato pak mundësi atyre vizionarëve shqiptarë që rrinë me shpresën se diçka mund të përmirësohet, duke i shtyrë përfundimisht të heqin dorë ose të bëjnë “vetëvrasje artistike” (që në atë pikë është baraz me vetëvrasjen).

Ndërsa provokimi i Ben Blushit, me të cilin në thelb jam dakort, me argëtoi. Ai i quan filmat shqiptarë të shëmtuar. Unë “të brumbujt”.

Por nuk e marr shumë seriozisht. Si ish drejtuese marketingu, e shoh si një “Attention Marketing” të pastër, veçse pak më cinik nga ç’duhej.

E ka thjeshtuar shumë. Ka prekur shumë kufijtë e racizmit kulturor kur gjithë fajin për dështimin e kinemasë sonë ja ngarkon fshatit, kosovarëve dhe artit të tyre – në një kohë që filmat kosovarë janë vlerësuar lart në arenën ndërkombëtare, ku më i fundit (që edhe po arrin të më kuriozojë), “Shame and Money” i Visar Morinës.

Dhe të gjitha nën sindromën e vjetër të Anestezisë Estetike të Totalitarizmit: aq i dashur ky për Gjermaninë Naziste, ku Joseph Goebbels investonte miliona në filma të bukur plot ngjyra për t’i mbajtur gjermanët të shpërqendruar nga tmerri i Holokaustit. Apo Realizmi Socialist që censuronte trishtimin e tregonte fshatarë të lumtur e të krehur me këngë në gojë.

Kjo lloj “Kinemaje e pastër dhe e bukur” shpesh ka fshehur kalbësirën e vërtetë!

Ndaj nuk besoj që z. Blushi të ketë shkelur vërtet në këtë dërrasë, se përndryshe i bie të jetë dashakeq ose shumë i paditur.

Dhe këtu kujdes!

Nuk po mohoj filmat e Kinostudios (sigurisht jo të gjithë), e aq më pak regjisorët e aktorët tanë!

Një Sandër Prosi! Një Kadri Roshi! Një Reshat Arbana!

Po një Ndrekë Luca? Po një Pandi Raidhi! Ëëë?

Po një Tinka Kurti! Një Bep Shiroka! Një Birçe Hasko! Një Mirush Kabashi! Një Xhevdet Ferri! Një Violeta Manushi e kot që të vazhdoj më gjatë se sado prej tyre të përmend, prapë dikujt do t’ia “ha” hakun!

Imagjinojini tani, të kishin këta mundësitë e “gjigandëve” Hollywood-janë që njihni më mirë!

Po duhet të jemi idiotë ose të na ketë qërruar interesi që t’i mohojmë këta!

E nëse justifikohemi se cinofilët francezë i ç’vlerësojnë filmat shqiptarë të Kinostudios, po ju them që ata mirë bëjnë, se nuk kanë detyrimin të kuptojnë një histori që s’është e tyrja (e që s’kemi ditur ta ndryshojmë ne). Kanë pasur jetë tjetër ata.

Ata kanë Godard e Truffaut që me kamerën në sup, “me një vajzë e një pistoletë”, i dhanë jetë Nouvelle Vague-ut francez, i folën Ekzistencializmit dhe krijuan Filmat Autor!

  1. Çfarë nuk shkon vërtet me Kinemanë?

DHE NUK ËSHTË PROBLEMI VETËM TE BUXHETI

Italia e pas-luftës s’kishte të hante bukë, por krijoi Neorealizmin.

Sheshet e shkatërruara të pas luftës dhe njerëzit e mjeruar në rrugë si aktorë, u mjaftuan regjisorëve me zero buxhet të xhironin kryeveprat e tyre. 4 aktorë, një kasolle dhe një buxhet mediokër ju deshën në ditët tona danezit Christian Tafdrup për ta bërë botën të flasë me vete me “Speak No Evil” të tij.

DHE AS MUNGESA E SEKSIT DHE AKSIONIT

Unë e dua aksionin adrenalik të bërë mirë, seksin e xhiruar mjeshtërisht ala William Lustig, edhe Bellucci-n. Ama as këto nuk e shpëtojnë Kinemanë shqiptare!

Në vitet 2000, Kinemaja rumune u bë fenomen botëror me çmime në Kanë, Berlin e Venecia. Zero infrastrukturë. Zero buxhet. Zero seks. Zero aksion.

Po aq të varfër, të korruptuar dhe të shkatërruar pas komunizmit sa Shqipëria, kineastët rumunë nuk pritën miliardat e produksioneve ndërkombëtare.

Puiu, Mungiu, Porumboiu morën kamerat në dorë, shkruan skenarë brilantë me saktësi kirurgjikale mbi realitetin e tyre të dhimbshëm dhe krijuan Valën e Re Rumune duke fituar Palmën e Artë në Kanë.

Cristi Puiu me “The Death of Mr. Lazarescu” mbajti publikun mbërthyer për 2.5 orë me një plak të sëmurë që endej në ambulancë nga një spital i Bukureshtit në tjetrin pasi mjekët dhe sistemi burokratik nuk mbanin përgjegjësi, duke krijuar një tension të jashtëzakonshëm pa asnjë skenë aksioni.

Një radiografi e pastër e korrupsionit dhe kalbjes së sistemit shëndetësor e shoqëror nën stilin e Cinema – verité.

Dhe këtu fus edhe filmat kosovarë që kanë fituar Kanën dhe Sundance-in si “Shame and Money”, “Hive” apo “Dua”.

DHE PËRFUNDIMISHT NUK NA E KA FAJIN TRAUMA!

E dini që Kinemaja koreane është më e dhunshmja në botë? Pse?

Sepse ajo reflekton traumën historike dhe psikologjike të vetë Koresë së Jugut.

Dhuna ekstreme në Kinemanë koreane përdoret si katarsis për atë shoqëri të traumatizuar historikisht.

E prapë, me këtë traumë visherale, ajo konsiderohet si një ndër më gjenialet në botë.

Këtë primat të sajin e ndan vetëm me Japoninë. Pashmangshmërisht në zhanrin gore/splatter të Kinemasë japoneze. Dhe nuk është rastësore!Koreja e Jugut dhe Japonia ndajnë dy faqet e së njëjtës historie të frikshme ku Japonia është xhelati e Koreja viktima. Por kjo do të jetë për një analizë tjetër se meriton shumë.

Pra ata punojnë me Traumën e tyre! Me të i shfaqen Botës!

Shumë shpejt do të sjell analizën e “Parasite”, që ma kanë kërkuar ndjekësit e mi me shije të hollë. Bong Joon-ho me këtë film të shtresëzuar ja mori 4 Oscar Hollywood-it dhe këtë nuk e bëri nga pallatet luksoze në qendër të Seulit, por nga bodrumi i qelbur e plot Traumë!

KONKLUZIONI

Ja pra që problemet tona nuk janë ato që thuhen rëndom. Fondet e pakta dhe nepotizmi i klaneve që dekurajojnë talentin ekzistojnë – kjo është e padiskutueshme. Por ato janë vetëm simptoma. Sepse kineastët kanë ndërtuar edhe me hiçin, edhe mbi traumën.

Sot jetojmë në epokën e rrjeteve sociale. Emra si Danny e Michael Philippou, Zach Cregger, Curry Barker erdhën nga YouTube-i (“të bërë vetë”). Me buxhete minimale personale, por me ide brilante e guxim, ata sot po bëjnë filmat më interesantë e rivelatorë.

Morën vëmendjen e publikut, çmimet ndërkombëtare dhe kontrata milionere distribuimi nga Maxhorët e Hollywood-it që i duan brenda!

Sëmundja e vërtetë te ne është Kriza e Ideve!

Mungon Ideja e Mirë, Vizioni dhe Guximi për t’i shkuar deri në fund!

Arti i vërtetë nuk ka frikë nga e shëmtuara, nga e pista, nga dhuna. Ai e përdor atë për të bërë autopsinë e shpirtit njerëzor.
Ne kemi Traumën dhe të Bukurën! Mund të nxjerrim Perla!

Por Kinemaja shqiptare mbetet në sipërfaqe, nuk zhytet kurrë në honet e thella. E aty dështon!

E Arti pa thellësi, nuk është më Art! Është paçavure.

Gjithmonë me Shpresë…