Historia gati gjashtëshekullore e Zojës së Këshillit të Mirë, që sipas legjendës u largua nga Shkodra dhe mbërriti në Genazzano të Italisë, vjen në qendër të dokumentarit të ri të regjisorit Gjon Kolndrekaj, “Përtej murit. Zoja e Këshillit të Mirë”.

Vepra u prezantua në Hotel Excelsior, në kuadër të një eventi special të Festivalit të 83-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. Përmes historisë së ikonës, dokumentari sjell edhe lidhjet e hershme mes Shqipërisë dhe Italisë, duke e paraqitur Adriatikun si një urë që ka bashkuar ndër shekuj dy popujt.

Regjisori Gjon Kolndrekaj thotë se ikona u largua drejt Italisë së bashku me shqiptarët, duke u kthyer në një simbol shprese dhe besimi. Rëndësinë historike dhe shpirtërore të Zojës së Këshillit të Mirë e përcjell në dokumentar edhe Arqipeshkëvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult, Imzot Giovanni Peragine.

Skenari i dokumentarit i është besuar Pal Kolndrekajt, ndërsa bashkëpunimi mes dy brezave synon edhe transmetimin e kujtesës dhe vlerave historike te brezat e rinj.

I prodhuar nga CrossinMedia në bashkëpunim me Rai Documentari, “Përtej murit. Zoja e Këshillit të Mirë” përshkon gati gjashtë shekuj histori, duke sjellë përmes ekranit një prej lidhjeve më të veçanta shpirtërore mes Shkodrës dhe Italisë.