Art House School ka nisur edicionin e ri në Shkodër, duke sjellë artistë, mentorë dhe krijues në një program të dedikuar artit bashkëkohor. Artisti i parë i ftuar ishte Genti Korini, i cili ndau me pjesëmarrësit përvojën dhe krijimtarinë e tij.
Gjatë takimit, Korini prezantoi disa prej videove të realizuara prej tij, të cilat do të jenë pjesë e prezantimit të Shqipërisë në ekspozitën ndërkombëtare të artit La Biennale di Venezia. Për artistin, dalja përtej skenës shqiptare dhe prezantimi në arenën ndërkombëtare është një hap i rëndësishëm për çdo krijues.
Programi i këtij edicioni të Art House School parashikon një kalendar të larmishëm aktivitetesh, takimesh dhe diskutimesh. Mentorja Tea Paci thotë se edhe në ditët në vijim pjesëmarrësit do të kenë mundësi të takohen dhe të shkëmbejnë eksperienca me artistë dhe të ftuar të ndryshëm.
Art House School vijon të shërbejë si një hapësirë dialogu dhe shkëmbimi mes artistëve të rinj dhe profesionistëve të artit bashkëkohor. Programi i këtij edicioni në Shkodër do të përmbyllet më 16 shtator.
